Zemaj nga spitali i Vushtrrisë: Mbështetja nga MSH dhe SHSKUK s’do të mungojë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot spitalin “Sheikh Zayzed” në Vushtrri, ku po trajtohen pacientët me COVID-19 nga Mitrovica, Vushtrria dhe rajonet përreth.

Nga aty ministri Zemaj, ka përgëzuar stafin e spitalit për menaxhimin e situatës me pandeminë, derisa shfaqi shpresën se ky angazhim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“E pamë nga afër shërbimin që po bëhet në spitalin e Vushtrrisë. Pavarësisht situatës pandemike, ne kemi bërë përgatitje për furnizime të ndryshme të cilat mendojmë që duhet të shfrytëzohen tash në trajtimin edhe të rasteve COVID edhe të shërbimeve tjera shëndetësore. Ne përshëndetëm edhe punën e menaxhmentit të ri, profesionistëve shëndetësorë të gjithë këtu që edhe në situatë jo të favorshme të trajtimit dhe të njohjes së virusit, tash këta e kanë bërë një përvojë pak më të mirë edhe në pjesën profesionale dhe praktike dhe mbështetja e MSh-së dhe SHSKUK-së nuk do të mungojë”, ka thënë Zemaj.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, ka thënë se pavarësisht rritjes së rasteve me koronavirus, spitali është jashtëzakonisht i përgatitur për t’i ofruar shërbime pacientëve.

“Spitali i Vushtrrisë dhe qyteti kemi kaluar një periudhë të vështirë të pandemisë, por jemi jashtëzakonisht të përgatitur me të gjitha furnizimet që i ka bërë ministria me kohë. Falënderoj ministrin në emër të gjithë profesionistëve shëndetësorë të Vushtrrisë, sidomos të specializantëve për shkak se të gjithë po thuajse që kanë aplikuar për specializim mjekët e rinj. Ky është një lajm i mirë për qytetin”, ka thënë Tahiri.

Ministri Zemaj gjatë ditës do të vizitojë edhe spitalin e përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.