Kosova dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim policor, këtë e bëri të ditur Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme në Kosovës.
Në postimin e tij në Facebook, Veliu ka deklaruar se kjo marrëveshje do të forcoj përpjekjet e përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit transnacional, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.
“Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me strukturat e ndryshme të sigurisë së Republikës Italiane, shpreha përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një aleat dhe partner i tyre i besueshëm”.
“Gjithashtu, edhe një herë falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Italiane ka dhënë në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen në proceset integruese euro-atlantike”.
“Ministrja e Brendshme e Republikës Italiane znj. Lamorgese vlerësoi lartë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e sigurisë dhe shprehu gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në çështjet me interes të përbashkët, për sigurinë rajonale dhe atë Evropiane”, ka shkruar Veliu në rrjetin social Facebook.