Kadri Veseli, i njohur si Komandant Luli në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është paraqitur sot në seancën e parë gjyqësore në kuadër të Dhomave të Specilizuara në Hagë.
Në këtë seancë, administratorja e gjykatës ka prezantuar aktakuzat me të cilat ngarkohet Veseli.
Me këtë rast, Kadri Veseli ka deklaruar se tashmë i ka dëgjuar aktakuzat me të cilat ngarkohet.
“I nderuari gjykatës i dëgjova”, tha shkurt Veseli.
Ai gjithashtu tha se i kupton të drejtat të cilat iu paraqitën nga administrata e Dhomave të Specializuara.
Pas kësaj, Nicolas Guillou, gjyqtari i procedurës deklaroi se brenda 30 ditësh Veseli mund të deklarohet në lidhje me fajësinë apo pafajësinë pas ngritjes së aktakuzave.
Veseli deklaroi se ka lexuar pikat e aktakuzave dhe se është tërësisht i pafajshëm.
“I nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.