Zëvendëskryeministri i Shqipërisë Erion Braçe ka dalë në mbrojtje të luftës së lavdishme të UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Në reagimin e tij pas paraqitjes fillestare të Jakup Krasniqit para Dhomave të Specializuara të Kosovës, numri dy i Qeverisë shqiptare ka çmuar lart paraqitjen e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës në mbrojtje të vlerave dhe pastërtisë së luftës çlirimtare të UÇK-së përballë agresorit serb.
“Sa shumë dinjitet, krenari, urtësi, vetëpërmbajtje, kthjelltësi, ndershmëri prej njeriu, burri, babai, mësuesi, luftëtari, shtetari, gazetari, shkrimtari, shqiptari, Jakup Krasniqi”, shkruan Braçe në një postim në Facebook.
Erion Braçe është lindur në Tiranë, më 2 prill 1972. Ka përfunduar ciklin e plotë të studimeve në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, dega Ekonomi – Financë, në vitet 1990 – 1994. Që prej vitit 1992 e deri më sot, Braçe ka qenë pjesë aktive e jetës politike dhe legjislative në Shqipëri.
Për një periudhë të gjatë kohore ka ushtruar profesionin e gazetarit dhe redaktorit, duke punuar si reporter në gazetën “24 Ore”, më pas në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitet 1993 – 1997 dhe si kryeredaktor i kësaj gazete në vitet 1998 – 2008.
Ka hyrë në politikë si drejtues i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar – zëvendës kryetar i tij në vitet 1996 – 2000; drejtues në Partinë Socialiste të Shqipërisë – anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste prej vitit 1995, anëtar i Kryesisë së saj prej vitit 2005.
Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në 7-të legjislatura që prej vitit 1996, duke kaluar dy cikle të plota nga opozita në mazhorancë; përfaqësues i qytetarëve të Qarkut të Beratit, i zgjedhur prej tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë në katër legjislatura dhe i zgjedhur si drejtues i listës proporcionale të Partisë Socialiste në një legjislaturë të pestë, përfaqësues i banorëve të zonës së Divjakës dhe Lushnjës, Qarku i Fierit, në dy legjislatura që prej vitit 2013.
Ka qenë anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave prej vitit 1996 në pesë legjislatura dhe kryetar i këtij komisioni në dy legjislaturat e fundit, 2013 dhe 2017.