Reciprocitet në pandemi

Në bazë të parimit të reciprocitetit, Kosova ua kërkon testin PCR negativ qytetarëve të huaj të cilët hyjnë në Kosovë. Kjo mënyrë e të vepruarit nga kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, po konsiderohet e panevojshme.

Reciprociteti konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigjje ndaj një veprimi të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa e reciprocitetit nuk ka kurrfarë efekti në COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Unë mendoj që ajo nuk ka kurrfarë efekti, në momentin kur një shtet e mbyll kufirin pse të mbyllim ne, pra nuk e kuptoj masën e reciprocitetit për një shtet që i mbyll kufijtë për vetë qytetarët e vet që të mos dalin. Nëse një shtet i ka mbyllur hyrjet-daljet në drejtim të Kosovës atëherë ku është logjika që ne t’i mbyllim”, thotë Sejdiu.

Testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Edhe infektologu Hamdi Ramadani thotë se në situatën epidemiologjike, reciprociteti është i panevojshëm.

“Në kohë të pandemisë, si ekspert i kësaj fushe, nuk i kisha parë si prioritare ato masa reciproke. Testin PCR duhet ta bëjë çdo shtet në kuptimin e zvogëlimit të uljes apo parandalimit të virusit”.

“Unë mendoj që masat më të mira janë që aplikojnë edhe shtetet më të mëdha siç është izolimi, përdorimi i maskës, pastaj njerëzit kur futen nga një shtet në një shtet tjetër, të bëhet testi apo të vendosen në karantinë 12 ditore”, thotë Ramadani.

Masa në bazë të parimit të reciprocitetit

Në një nga masat e fundit që kanë hyrë në fuqi më 2 nëntor në Kosovë, thuhet:

“Të gjithë qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Kosovë e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me disa përjashtime”.

Përjashtim nga kjo masë bëjnë qytetarët gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e Kosovës dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e Kosovës. Përjashtim i njëjtë bëhet edhe gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar apo pikat tjera kufitare tokësore.

Po ashtu, për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite, nuk nevojitet testi PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës, brenda 5 orëve.

Reciprociteti me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në fillim të korrikut pati miratuar një vendim, sipas të cilit shtetasit e Kosovës, gjatë hyrjes në këtë shtet, duhet të kenë testin negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Ky vendim ka qenë në fuqi deri në muajin tetor.

Një test negativ për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë Kosova kishte filluar të kërkojë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në korrik, dhe këtë bazuar në parimin e reciprocitetit.

Në atë kohë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, kishte shkruar në rrjetin social Facebook se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i bazuar në parimin e reciprocitetit.

Ai pati thënë se testi PCR negativ u kërkohet vetëm qytetarëve që vijnë nga shtetit, të cilat kërkojnë nga qytetarët e Kosovës që të kenë testin RT-PCR, për të hyrë në territorin e tyre.

“Bazuar mbi këtë parim të reciprocitetit, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre të Malit të Zi, u kërkohet testi RT-PCR, për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Testi RT-PCR nuk u kërkohet qytetarëve që vijnë nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë”, pati shkruar ministri Zemaj.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të merr përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë parim të reciprocitetit, por nuk ka arritur të kontaktojë dikë nga zyrtarët e këtij dikasteri.

Në Kosovë, numri i të prekurve me COVID-19 javëve të fundit ka shënuar rritje të madhe.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për më shumë se 22 mijë raste.