Policia e Kosovës identifikon disa persona të dyshuar për keqtrajtim të fëmijëve

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të kampanjës ‘Mos hesht – ndal trafikimin me njerëz’, ka realizuar një sërë aktivitetesh.

Me qëllim të parandalimit dhe identifikimit në faza të mëhershme të viktimave të mundshme të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, DHTQNJ ka implementuar një plan operativ të koduar si “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit ” në disa regjione të Kosovës, nga data 26-30 tetor 2020.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ është bërë identifikimi i personave të përfshirë 16 lëmoshë-kërkues të rritur (nga ta 10 shtetas kosovarë dhe 6 shqiptarë), 35 fëmijë lëmoshë-kërkues (nga ta 28 shtetas kosovarë dhe 7 shtetas shqiptarë).

Si persona të dyshuar të përfshirë në këto raste, janë identifikuar 10 persona ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal si dhe janë iniciuar 9 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu në vazhdën e procedurave për trajtimin e rasteve të gjithë fëmijëve lëmoshë-kërkues, në prani të punëtorëve të QPS-së, u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshë-kërkuesve, ku të njëjtit kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente.