KMDLNJ: Përpjekje për përfitime politike nga vjedhja e parasë publike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj akuzave se vjedhja e 2.1 milionë eurove apo akti korruptiv në komunën e Prishtinës, duke thënë se nuk ka asnjë dëshmi se mbrapa tyre qëndrojnë subjektet politike.

KMDLNj thotë se të gjithë duhet të përmbahen nga deklarimet e papërgjegjshme apo politizimit të akteve ekskluzivisht kriminale dhe për përfitime personale e jo partiake dhe të presin përfundimin e hetimeve.

“Përpjekja për politizim të këtyre akteve të vjedhjeve janë presion mbi hetuesinë, pengojnë hetimet dhe ndërhyrje në procesin eventual gjyqësor dhe gjithashtu në marrjen e një vendimi të drejtë të Gjykatës kompetente. Për KMDLNj-në është krejtësisht e papranueshme që , ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të formës së prerë të caktohet përgjegjësia dhe në këtë mënyrë i shkilen të drejtat e njeriut edhe të të dyshuarve e sidomos personave që kanë poste publike dhe institucionale të cilëve , në pamundësi t’iu dëshmohet fajësia, përmes linçimit publik u shqiptohet dënimi sikur që po bëhen përpjekje ndaj ministres Bajrami, Zafir Berishës, VV-së, PDK-së, LDK-së dhe NISMA-s”, thuhet në reagim.

Për KMDLNj-në është shumë e rëndë vjedhja e arkës 300 kg në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, pavarësisht deklarime se aty nuk kishte shuma të mëdha të parave e që tregon qartë se nuk kanë qenë qëllimi paratë por dokumentacioni.

Reagim i KMDLNj – së:

PËRPJEKJE PËR POLITIZIM DHE PËRFITIME POLITIKE NGA VJEDHJA E PARASË PUBLIKE!

Kohë më parë një inspektor i Komunës së Prishtinës u arrestua pasi u kap në flagrancë duke marrë 12.000 euro nga pala e dëmtuar. Menjëherë pas kësaj pati reagime të shumta, më pak për shkak të veprës korruptive e më shumë me akuza se inspektori i arrestuar qenka anëtar i VV-së. Në vend se të pritet që hetimet të përfundojnë dhe drejtësia të ndajë dënimin pas shqyrtimit të provave , deklaratat ishin më shumë të natyrës politke dhe kërkohej përgjegjësi nga VV thuaja se vepra penale e korrupsionit qenka bërë me urdhër të partisë dhe se ato 12.000 euro janë derdhur në llogarinë e VV-së.

Pastaj, ndodhi edhe një hajni shumë më e madhe kur nga Thesari, pa autorizim dhe në mënyrë të kundërligjshme nga një i punësuar aty, në llogari të një ndërmarrje private u derdhën 2.1 milionë euro. Ende pa filluar hetimet dhe pa u shqiptuar asnjë masë ndaj L. G që e bëri këtë transfer, nisi lufta politike dhe partiake: i arrestuari qenka anëtar i PDK-së kurse nga ana tjetër kishte akuza se familja Gruda tradicionalisht kanë mbështetur LDK-në. Në anën tjetër , K. SH që gjendet në arrati qenka anëtar i NISMA-s dhe , në vend se të konsiderohet si akt kriminal vjedhja e 2.1 milionë eurove po bëhen përpjekje që përmes politizimit të këtij akti kriminal të përfitohet politikisht. Në këtë kontekst pati deklarime të forta por krejtësisht të panevojshme të liderëve politikë dhe distancime publike.

Madje, një z/kryeministre , duke e injoruar faktin se përgjegjësia është individuale dhe se nuk mund të ketë hakmarrje kolektive e largoi nga puna një këshilltare politike për faktin se babai i saj paska përfituar nga kjo vjedhje e 2.1 milionë eurove, pa përfunduar hetimet dhe pa u dëshmuar fajësia apo pjesëmarrja e këshilltares së saj në këtë vepër kriminale.

Pastaj u kërkua dorëheqja e ministres së Financave, znj. Hykmete Bajrami ndonëse kjo, sipas KMDLNj-së nuk ka asnjë përgjegjësi, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Edhe këtu vjen në shprehje përpjekja për përfitim politikë andaj pa asnjë të drejtë kërkohet koka politike e ministres Bajrami.

Madje u kërkua edhe përgjegjësia e Zafir Berishës gjithashtu pa asnjë të drejtë, sigurisht për qëllime politike.

Nuk ka asnjë dëshmi se prapa aktit korruptiv ku u morën 12 mijë euro qëndron VV e gjithashtu nuk ka asnjë dëshmi se prapa vjedhjes së 2.1 milionë eurove qëndrojnë PDK, LDK apo NISMA andaj të gjithë duhet të përmbahen nga deklarimet e papërgjegjshme apo politizimit të akteve ekskluzivisht kriminale dhe për përfitime personale e jo partiake dhe të presin përfundimin e hetimeve. Përpjekja për politizim të këtyre akteve të vjedhjeve janë presion mbi hetuesinë, pengojnë hetimet dhe ndërhyrje në procesin eventual gjyqësor dhe gjithashtu në marrjen e një vendimi të drejtë të Gjykatës kompetente. Për KMDLNj-në është krejtësisht e papranueshme që , ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të formës së prerë të caktohet përgjegjësia dhe në këtë mënyrë i shkilen të drejtat e njeriut edhe të të dyshuarve e sidomos personave që kanë poste publike dhe institucionale të cilëve , në pamundësi t’iu dëshmohet fajësia, përmes linçimit publik u shqiptohet dënimi sikur që po bëhen përpjekje ndaj ministres Bajrami, Zafir Berishës, VV-së, PDK-së, LDK-së dhe NISMA-s.

Për KMDLNj-në është shumë e rëndë vjedhja e arkës 300 kg në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, pavarësisht deklarime se aty nuk kishte shuma të mëdha të parave e që tregon qartë se nuk kanë qenë qëllimi paratë por dokumentacioni.

Parimi i përgjegjësisë individuale duhet të respektohet deri në fund sikur edhe parimi i prezumimit të pafajësisë siç bëhet në çdo shtet ligjor.