Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dhënë detaje për skandalin e avullimit të mbi 2 milionë eurove nga thesari i shtetit.
Para mediave ajo tha se bëhet fjalë për 2.1 milionë euro të cilat kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik.
Ato kanë shkuar përmes transakcionit teksa lidhur me rastin janë suspenduar dy persona.
“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit e Kosovës, rreth 2.1 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. Kemi denoncuar rastin, teksa krimet kibernetike po merren me të. Teksa janë suspenduar dy zyrtarë. Kemi njoftuar edhe AKI-në. Unë dola që të them se kemi gjurmuar se është transkacion bankar. Institucionet po bëjnë përpjekje që këto mjete t’i kthehet buxhetit të Kosovës. Ky rast është i izoluar me të cilin po merren institucionet. Kemi bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për të parë se është rast i nevojshëm. Nuk është tërheqje e mjetve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e Kosovës janë në BQK dhe janë të sigurta”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo nuk ka treguar emrat e operatorit ekonomik ku kanë shkuar këto para, pasi që sipas saj kjo është kërkesë e prokurorisë.
Bajrami ka thënë se transanksionet kanë ndodhur më 9 tetor.
“Në një të ardhme të afërt do të japim raporte të detajuara. Kemi një kërkesë nga prokurorja që të mos japim informata që të mos dëmtohet procesi. Njëri nga zyrtarët është suspenduar sepse ka qenë vijë raportuese. Tjetri është eprori i tij. Transakcionet kanë ndodhur më 9 tetor, dhe janë bërë pagesa në emër të këtij operatori privat. Ministria e linjës ka pyetur thesarin nëse ky është një vendim gjyqësor, janë bërë verifikimet dhe është bërë denoncimi i rastit”, ka thënë ajo para mediave.