Komandanti në Betejën e Koshares, Hisen Berisha, është i pajtimit që të krijohet një gjykatë e re që do të dënonte krimet e serbëve në Kosovë, bazuar në arkivat jugosllave që do të dilnin.
Ai po thotë se kjo duhet të ndodhë tash kur, sipas tij, po del që krimet e bëra gjatë luftës ishin nga sistemi institucional i atëhershëm.
“Nëse Vuçiq kërkon arkivat e UÇK-së, të një guerile duke kërkuar arkivat se sa ka serbë të humbur. Ne si institucione kemi bërë një lëshim kur s’kemi kërkuar që në Hagë të shkojnë si argumente vetë arkivat jugosllave. Pretendimet e disa gjeneralëve serbë se gjoja paramilitarët dhe njësitë tjera kriminale siç ishin të Sheshelit, Arkanit apo njerëz të tjerë, kanë qenë jashtë sistemit komandues, nuk qëndrojnë. Tash po shihet që gjithçka ka qenë e harmonizuar. Ndoshta kjo do të na ndihmonte, nëse kemi fuqi politike dhe diplomatike, që me shty një bërje të një gjykate të re qoftë me iniciativën e Kosovës, që më duket se është dhënë nga kryetari i PDK-së, apo institucionet e Kosovës dhe të rigjykohen krimet serbe bazuar në vetë dokumentet arkivore të ushtrisë jugosllave të publikuara këto ditë, që do të ketë edhe të tjera që s’duhet të na befasojnë”.
Berisha në Sytë 7 tha se Gjykata Speciale edhe pse do të duhej të kishte funksionin për të ndarë drejtësi, tash është kthyer në arbitraritet për qytetarët.
“Pretendimet e Dick Marty ishin dëmi më i madh për Kosovën, i cili është në shtet në konsolidim të institucioneve të brendshme të saj, të politikës së brendshme dhe të jashtme. Gjykata Speciale është krijuar për këto pretendime dhe është dashur të krijohet për të kaluar nëpër këtë gjykatë. Individë që janë të përfshirë nuk duhet t’i shohim në prizmin individual. Por, kjo gjykatë e ka humbur kredibilitetin”.
“Nuk kemi gabuar kur është votuar. Nëse s’e kishim bërë atëherë duhet ta bënim sot. Lufta jonë në aspektin tonë emocional ka qenë e shenjtë, por ka pasë gabime. Por për çështje që jemi akuzuar për trafikime organesh atëherë është dashur krejt organizata që të merret”.
Berisha i ashpër u tregua me heqjen e flamurit kombëtar në vendin ku ka luftuar 21 vjet më parë.
“Kjo mund të ndikojë në raportet ndëretnike. Qytetarët tonë nëse do të lëshonin ndonjë këngë patriotike në veri menjëherë reagon policia. Ajo që ndodhi bë Koshare është akt qyqar. Ai objekt duhet të ketë masa sigurie sepse atje është një investim milionash dhe gjithashtu është vend ku ka emocione të veçanta”.
Berisha ironizoi me privatizimin e tokave nga ish-komandantë duke thënë se po ta kishte ditur me një rrogë do të blinte 1000 ari vend.