Memphis Depay ishte dëshira më e madhe e Ronald Koeman gjatë merkatos së kësaj vjeshte, por pavarësisht përpjekjeve, Barcelona nuk ia doli të sjellë holandezin në “Camp Nou”, pasi nuk kishte paratë e nevojshme.
Megjithatë tekniku i skuadrës “blaugrana” nuk humb shpresat dhe në një intervistë për mediat holandeze pranon se bashkë me drejtuesit po punojnë për të sjellë sulmuesin në muajin janar në Katalunjë.
“Është një mundësi dhe do të provoj deri në fund, pasi dua ta kem te Barcelona. Mund të kishte ardhur në tetor, por ne nuk arritëm të largojmë asnjë nga lojtarët aktualë dhe gjithçka dështoi. Bashkë me drejtuesit po mbajmë pistën të hapur për ta marrë në janar, por varet edhe nga situata ekonomike e klubit”, u shpreh Koeman.
Barcelona po vuan jo pak në repartin e avancuar, pasi në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka shënuar vetëm një gol, ndërsa Koeman sqaron se Depay ka karakteristika të ndryshme nga sulmuesit aktualë dhe është më se i nevojshëm.
“Ne kemi shumë sulmues të mirë në skuadër, por të gjithë ata duan ta marrin topin nga mbrapa dhe të avancojnë, ndërsa Depay është i vetmi me karakteristika ndryshe, pasi di të sulmojë thellësitë dhe të na krijojë më shumë hapësira”, deklaroi tekniku katalan.