Partia Demokratike në Prishtinë ka kritikuar qeverisjen aktuale të kryeqytetit, për mungesën e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen Kalabria dhe zvarritjen e vendosjes së tij nga qeverisjet e deritanishme komunale.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prishtinë , ka kritikuar komunë e Prishtinës për mosvendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, duke thënë se po rrezikohet jeta e fëmijëve, shëndeti i qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimi i bizneseve.
Drejtues të PDK-së, kërkuan që kolektori i ujerave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje.
Leotrim Retkoceri, asamblistë në Kuvendin e Prishtinës, në një konferencë për media, tha se
“Është absurde se si në mes të zemrës së Prishtinës, ka lagje të tilla ku kundërmojnë erërat e zeza dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve.Nëse nuk do t’i marrin këto kërkesa, ne si grup i PDK-së në Kuvendin komunal do të organizohemi në çdo formë që ky projekt të realizohet sa më parë, për shkak se këtu kemi të bëjmë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, që preket drejtpërdrejt dhe rrezikohet nga ky kolektorë”, tha ai.
Suzana Vuçiterna-Kika, asambliste në komunë, tha se mungesa e kolektorit për ujërat e zeza kanë dëmtuar bizneset. Sipas saj, restorantet nuk mund ta shfrytëzojnë hapësirën e jashtme.
Ajo tha se edhe fëmijët janë të rrezikuar të bien në gropa të thella.
“Mosveprimi për vendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve. Kolektori i ujërave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje”, tha ajo.
Banori i kësaj lagje, Ismet Cani thotë se ndaj qytetarëve të kësaj lagje po ndodh një krim.
“Problemi i ujerave të zeza në lagjen Kalabria, është problemi më i madh momental i qytetit të Prishtinës, i cili në vete përmban rrezikimi e jetës së njerëzve për shkak të kundërmimit shumë të rënda. Ne kemi pas kontakte që nga fillimi i mandatit të pari të kryetarit aktual, i cili nuk ka marrë diçka konkrete. Mosveprimi i personave të autorizuar për eliminimin e rrezikut të shëndetit të qytetarëve, është vepër penale. Ne një ditë mund edhe ta humbim durimin”, tha ai.