Çdo gjë që është dakorduar, duhet të zbatohet, tha të enjten në Beograd i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë ka pasur pajtim, ai “është nënshkruar dhe duhet të realizohet”, tha ai.
“Hapi i radhës është të flitet për statutin e Asociacionit”, tha diplomati sllovak në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur në gjuhën serbe, Lajçak tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të dy popujve dhe të rajonit.
Sipas tij, parimi i tërë këtij procesi “është që në fund të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura”.
Lajçak tha se nuk dëshiron të japë “afate artificiale” se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare midis palëve, por shtoi se BE-ja do të ndihmojë që procesi të shkojë shpejt – “aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Javëve të fundit, zyrtarët në Kosovë kanë përsëritur vazhdimisht se Asociacioni është temë e mbyllur dhe se për të nuk do të flitet më.
Lajçak, i cili qëndroi në kryeqytetin serb pas dy ditësh në Prishtinë, tha se nga “25 takimet” që ka pasur me zyrtarët kosovarë, “asnjë bashkëbisedues nuk ka thënë se nuk do t’i përmbushin obligimet”.