Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka theksuar se janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të sigurimit të vaksinës kundër COVID-19.
Kështu ka deklaruar ai në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me menaxhimin e situatës me pandeminë.
“Presim 260 mijë vaksina falas, pjesën tjetër synojmë me buxhet të vendit. Lista e donacioneve është e madhe gjatë kësaj kohe”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka siguruar 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal, derisa janë në proces të sigurimit edhe për mbi 200 mijë të tjera.
Ai tha se po mundohen që të kryejnë pagesat e stafit shëndetësorë, por edhe stafit mbështetës.
“Buxheti është i limituar, jemi në diskutim me Ministrinë e Financave, por kjo pagesë do të jetë retroaktive”, theksoi Zemaj.