Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se gjatë ditëve të vijim do të kalojnë në një tjetër nivel të masave mbrojtëse, për të ruajtur siç tha ai situatën epidemiologjike në vend.
Ministri Zemaj gjatë raportimit të menaxhimit të situatës me COVID-19, në Komisionin për Shëndetësi ka thënë se rënia e numrit të rasteve po u mundëson mobilizim të përgjithshëm dhe përgatitje për valë të mundshme të përhapjes së COVID-19.
“Në ditët në vijim do të kalojmë në një nivel tjetër të masave mbrojtëse të cilat janë të domosdoshme për ta ruajtur situatën epidemiologjike në vend”, ka thënë ai.
Zemaj po ashtu tregoi se Kosova renditet në shtatë vendet më të mira për situatën epidemiologjike dhe menaxhimin e pandemisë.
“E them me përgjegjësi të plotë se Kosovë ngritet në shtatë vendet më të mira për situatën epidemiologjike dhe menaxhimin e pandemisë. Ende mbetet përgjegjësi e jona menaxhimi i situatës me pandemi, COVID-19”, theksoi ai.
Ai tha se po mundohen që të kryejnë pagesat e stafit shëndetësorë, por edhe stafit mbështetës.
“Është evidente që stafi jo mjekësor nuk ka marr shtesa, jemi në komunikim dhe me Ministrinë e Financave. Kjo pagesë do të jetë retroaktive”, tha Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë theksoi po ashtu se janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të sigurimit të vaksinës kundër COVID-19.
“Presim 260 mijë vaksina falas, pjesën tjetër synojmë me buxhet të vendit. Lista e donacioneve është e madhe gjatë kësaj kohe”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka siguruar 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal, derisa janë në proces të sigurimit edhe të mbi 200 mijë të tjera.
Ministri Zemaj tregoi po ashtu edhe për bashkëpunimin me vendet e rajonit për situatën pandemike.
“Bashkërisht duhet që në këtë fazë të bëjmë ngritjen e informimit dhe vetëdijesimit për ruajtjen nga COVID-19. Për të gjithë këto grupet, sidomos të moshuarit kronikë, të moshuarit, të rinj, profesionistët shëndetësorë, skeptikët, mohuesit e virusit dhe ata që shprehin dyshimet për rëndësinë e vaksinimit kundër gripit sezonal dhe sëmundjeve tjera duhet trajtuar bashkërisht, si dhe i kemi trajtuar. Kemi pas vizitë në komunën e Preshevës dhe kemi arritur që përmes kontakteve rajonale dhe partnerëve ndërkombëtarë të shtojmë kujdesin për qytetarët tanë dhe të insistojmë që edhe atje të jetë e menaxhueshme situata pandemike dhe të marrim shërbime cilësore. Në konferencat tona rajonale prezentë kanë të gjitha shtetet duke përfshirë, Bosnja Hercegovinën, Greqinë dhe Bullgarinë”, tha ministri i MSH-së.
Zemaj po ashtu tha se me vendimin e fundit të 25 shtatorit, kanë marr masa edhe ndaj shteteve të cilat janë në listën e shteteve me rrezikshmëri të shpërndarjes së infeksionit.
“Me vendimin e fundit të 25 shtatorit kemi marrë masa reciproke. Kemi marrë dhe masa për shtetet që futen potencialisht në listën e ECDC, si shpërndarës të infeksionit do të detyrohen të paraqesin testin PCR, në hyrje të Kosovës apo të shkojnë në vetë izolim”, potencoi ai.
Ndërsa, kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj tha se ditëve të fundit ka rënie të numrit të rasteve dhe menaxhim më të mirë të kësaj situate.
Megjithatë, sipas saj është me rëndësi të dihet nëse Kosova është e gatshme të përballojë një valë të dytë me pandeminë COVID-19.
“Ne jemi të gatshëm që të punojmë në këtë çështje. Ne presim nga qeveria që të procesojë çështjet e legjislacionit. Shqetësim i yni është mos pagesat shtesë të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit tjetër. Për ne do të ishte e mirëseardhur të dimë në lidhje me këtë. Sepse ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës”, ka theksuar ajo
Ndryshe, në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë të pranishëm janë edhe drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publikë të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani dhe u.d i Shërbimit Spitalor Klinikë Universitarë të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.