Hoti flet për vlerësimin e KE-së për heqjen e vizave: Kriteret janë plotësuar qysh më 2016

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, ka komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, raporton lajmi.net.

Hoti deklaroi se të gjitha të gjeturat e këtij raporti janë problemet me të cilat është duke u ballafaquar Kosova dhe theksoi se ky është një raport i drejt që ka paraqitur mirë dhe qartë të gjitha problemet e Kosovës.

Hoti po ashtu theksoi se edhe ky raport ka paraqitur drejt se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se një gjë të tillë e ka bërë qysh nga viti 2016.

“Raporti me të drejt nxjerr në pah se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2016. Më vjen mirë që edhe raporti e ka evidentuar se qasja jonë si qeveri e re, një qasje e fuqishme për reformat për integrimin evropian. Besoj se kemi vënë evidencë të fuqishme se jemi partner kredibil për integrim evropian”, deklaroi Hoti, raporton më tutje lajmi.net.

Në anën tjetër, Hoti e vlerësoi lartë që edhe Komisioni Evropian e ka vënë re që Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë me COVID-19.

“Vlerësoj se raporti me të drejtë nxjerrë se Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë dhe rezultatet e saja jemi duke i parë tash dhe se Kosova po largohet nga lista e vendeve me rrezik të lartë”, theksoi Hoti.

Sa i përket krimit dhe korrupsionit, Hoti tha, se javëve të fundit janë parë aksione të Policisë së Kosovës të cilat nuk janë parë në 10 vitet e fundit dhe paralajmëroi aksione të ngjashme.

“Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete, por ju e keni parë dhe e them me kënaqësi se gjatë këtyre 4 muajve të qeverisjes është larguar fjala korrupsion në diskursin publik, e në veçanti në javët e fundit ju i keni parë  veprimet e policisë së Kosovës të cilat nuk janë bërë në 10 vitet e fundit e që kanë prodhuar rezultate. Ne nuk do të ndalemi këtu, do të vazhdojmë më tutje deri në fund”, theksoi Hoti.