Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, po raporton në Komisionin parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis lidhur me marrëveshjet nga takimi i Washingtonit për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore.
Abrashi përmes pikave të shkurtra, ka përmendur projektet që janë prezantuar në SHBA. Ai ka theksuar se këto marrëveshje e fuqizojnë Kosovën në shumë aspekte.
“Marrëveshjet që janë nënshkruar në Washington, e fuqizojnë Kosovën dhe e vijnë transit të mallrave dhe njerëzve sepse nuk kemi korridore që kalojnë në Ballkan”.
Abrashi ka thënë se pasi që BE-ja ka paraparë projekte për hekurudhat nga jugu në veri, sipas tij, amerikanët do kujdesen për të rehabilituar rrjetin e hekurudhave nga perëndimi në lindje.
“Gjatë diskutimit që kemi pasur atje, ne kemi shtyrë edhe projekteve tjera, jashtë diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë. Kosova përmes projekteve është duke e finalizuar linjën hekurudhore, nga Shkupi deri në Leshak, ndërsa pala tjetër nga Perëndimi në Lindje”.
Ministri i Infrastrukturës, ka folur edhe për mundësinë që Kosova të ketë dalje në detin Adriatik.
“Për projektin e autostradës dhe hekurudhës, Kosova përmes projekteve të financuara nga BE-ja është duke rehabilituar infrastrukturën nja jugu në veri, kurse shteti amerikan në perëndim dhe lindje”.
“Në kuadër të lidhjes së Prishtinës me detin Adriatik ne kemi paraqitur idenë për një port të thellë, i cili do të bënte konkurrencë edhe ndaj porteve tjera në Mesdhe. Projektet tjera janë të cilat i kemi prezantuar gjatë takimeve me korporatat amerikane”.