Pas vizitës zyrtare në Vjenë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka mirëpritur në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
“Kisha kënaqësi të mirëpres Ambasadorin Weidinger. Shkëmbyem pikëpamje mbi zhvillimet politike dhe dialogun për marrëveshje finale me Serbinë, ku theksova nevojën për vizion strategjik nga BE-ja për të vazhduar momentumin e krijuar në Washington me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, si dhe për të përmbyllur dialogun me Serbinë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Ministrja
Duke u ndalur tek kjo temë, kryediplomatja theksoi se koha e kompromiseve të Kosovës ka mbaruar.
“Tani është radha e Serbisë të dëshmojë përkushtim serioz nëse e dëshiron ecjen përpara drejt Bashkimit Evropian – rrugë e cila kalon nëpër Kosovë!”, tha ajo.
Në rrafshin bilateral, shefja e diplomacisë së Kosovës dhe ambasadori i Austrisë u zotuan të forcojnë bashkëpunimin ekonomik përmes mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve austriake në Kosovë.