Kryetarët e Bashkive të Shqipërisë janë pritur sot në takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri.
Në këtë takim të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, u diskutua për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Autoriteteve Lokale, i cili kongres pritet të mbahet në fund të këtij viti.
Pas takimit, Tahiri në një konferencë për medie bëri të ditur se kanë diskutuar lidhur me agjendën e takimit të parë që pritet të mbahet në Shqipëri.
“Sot në takim unë pata një temë tjetër, sot bisedova me kryetarët për të nisur jetësimin e kongresit kombëtar të autoriteteve lokale kah fundi i vitit në Shqipëri. Diskutuam temat të cilat janë shumë më interes. Një temë e agjendës që u caktuar sot, e që do të diskutohet është fillimi i vitit të ri shkollor, që të fillojë me 15 shtator”, tha ai.
E kryetari i Vlorës, Dritan Leli, u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Shqipërisë që të vizitojnë Kosovën, pasi që sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të ndihmuar të dy shtetet njëri-tjetrin për rimëkëmbje ekonomike.
“Pandemia një e keqe e madhe që përfshi gjithë njerëzimit bëri që t’i gjendemi më pranë njëri tjetrit. Ishte vërtetë një sfidë e madhe për gjithë industrinë e turizmit që të kishte fluksin që do të donte për te sfiduar të keqe, por ne ia dolëm së bashku. Të gjithë shqiptarët të vizitojnë këtë anë të bjeshkëve, siç këta vizituan bregdetin gjatë sezonës së verës. Të rimëkëmbim ekonominë”, tha ai.