270 punëtorë të kompanisë së njohur kosovare, “Bavaria”, mund të mbesin pa punë si pasojë e dështimit të miratimit të Pakos së Rimëkëmbjes nga ana e Kuvendit.
Ndërkaq, 1 milion euro janë humbjet e kësaj kompanie të shkaktuar nga pandemia. Këtë e ka bërë të ditur, pronari i saj, Blerim Hyseni. Ai ka thënë për Ekonomia Online, se çdo muaj mundohen me vështirësi t’i sigurojnë pagat për punëtorë.
“Çdo muaj po përballemi me grumbullimin e mjeteve për paga e qira. Ne kemi jashtëzakonisht numër të madh të punëtorëve, mbi 130 punëtorë, por me bashkëpunëtorë jemi afro 270″.
“Ne si kompani e kemi një kosto fikse që patjetër duhet ta kemi çdo muaj, pra janë qiraja, pagat, materialet që duhet të punohen dhe në momentin që bizneset tjera nuk punojnë, siç është gastronomia, atëherë ne s’do të kemi mundësi që t’i sigurojmë pagat dhe në çdo fund të muajit po themi edhe këtë muaj, edhe këtë muaj, nëse vazhdohet kështu, atëherë jo shpejt por brenda muajit veç fillojmë me largim të punëtorët”.
Pos humbjeve të shkaktuara nga kjo pandemi, Hyseni thotë se ekziston rreziku që të falimentojnë si kompani, siç ndodhi me shumë kompani tjera vendëse.
“Jashtëzakonisht jemi dëmtuar afër 1 milion euro brenda fillimit të pandemisë dhe nëse vazhdojmë me këtë gjendje, ekziston rreziku që ta mbyllim kompaninë, siç ishte rasti i mijëra biznese tjera”, u shpreh ai.
Teksa ka folur për mungesën e përkrahjes institucionale, Hyseni ka drejtuar akuza në drejtim të deputetëve, të cilët nuk po arrijnë që ta votojnë Pakon e Rimëkëmbjes, duke thënë se bizneset janë në oksigjeno-terapi.
“Një problem që e kemi ka të bëjë me përkrahjen institucionale. Po e shohim çdo ditë që sa herë që tenton të votohet në Kuvend pjesa e Pakos së Rimëkëmbjes, ku bizneset janë në oksigjeno-terapi, sepse që nga marsi ka shumë biznese nuk kanë punuar fare, por po besoj se do të na kuptojnë sepse nuk është çështja se nuk kemi të holla për të jetuar por kemi punëtorë të cilët mund të mbesin pa rroga. Problemi është te punëtorët e jo të bizneset, askush nuk, po e llogarit se punëtorët janë ata të cilët mund të mbesin pa punë”.
Ndihmë e madhe për të do të ishte mundësimi i marrjes së kredisë me kamatë të ultë dhe votimi i Pakos së Rimëkëmbjes, raporton EO.
“Çfarë do ndihme neve na ndihmon shumë sepse ne jemi biznese 10 vjeçare, nuk është se kemi traditë shumë vjeçare siç kanë kompanitë në shtetet tjera”.
“Ne jemi biznese në fillet e të bërit biznes. Unë do të kërkoja nga qeveria që të na mundësoj një kreditim prej bankave me kamatë shumë të ultë, që ne të kemi mundësinë të marrim kredi. Edhe pakoja e rimëkëmbjes për mendimin tim është e qëlluar”, tha ai.