Ka nisur mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Në një fjalë rasti, kryeministri shqiptar tha se marrëveshjet e arritura mes dy qeverive në të kaluarën kanë pasur zbatim të mirë, shkruan lajmi.net.
Në këtë kontekst, ai përmendi marrëveshjen për kontrollet kufitare, mirëpo që sipa tij kjo duhet të rezultojë me heqjen totale të kufirit.
“Të gjitha dokumentet e nënshkruara janë në proces të zbatimit ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar. Duhet të veçoj zbatimin e marrëveshjes për hapjen e pikave kufitare. Kontrolli i përbashkët funksionon sipas parimit një ndalesë një kontroll. Edhe në këtë sezon veror, pavarësisht fluksit, lëvizja ka qenë më e relaksuar. Ambicia jonë është heqja e kufirit, në funksion të zbatimit të katër lirive të BE-së, duke filluar nga më e thjeshta dhe kuptimplotja”, tha ai.
Rama përmendi edhe marrëveshjen për portin e Durrësit.
“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim, faktikisht na çon në një destinacion të paimagjinueshëm, shndërrimin e portit të Durrësit në një port defakto edhe të Kosovës. Këtë e kam konstatuar me shumë kënaqësi edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington pak javë më parë”, tha ai.
Sipas tij, me këtë marrëveshje do të njihen automatikisht agjentët doganorë të të dyja vendeve, si dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
Ai tha se si rrjedhojë e bashkëpunimit mes dy vendeve, ka pasur shkëmbim të rritur tregtar në një klimë të pafavorshme për këtë.
“Kriza e shkaktuar nga pandemia nxorri në pah edhe pikat e forta të bashkëpunimit tonë në këto vite. Mbledhje pas mbledhje, marrëveshje pas marrëveshje. Është fakt dhe faktet në kohën që jetojmë kanë shumë më pak peshë në sytë e njerëzve se sa lajmet e rreme apo gjysëm të vërtetat. Edhe për këtë fakt, pak kush apo askush e ka marrë vendimin të flasë, që si rezultat konkret i heqjes së barrierave, është shënuar një rritje e shkëmbimeve tregtare në një klimë jofavorizuese”, tha tutje kryeministri Shqiptar.
“Së shpejti ne nisim, pas një odiseje të gjatë, ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, dhe ky hap tjetër shkon në drejtimin e duhur, ashtu si shkon në drejtim të duhur korridori digjital Prishtinë-Tiranë, mbështetur në teknologjinë 5G”, tha Rama.
Rama përmendi edhe diskutimet për një marrëveshje për investime të përbashkëta në energji.
Kryeministri shqiptar foli edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve në diplomaci, duke përmendur në këtë kontekst arritjet e shqiptarëve në zgjedhjet e mbajtura në shtetet e rajonit.