Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës për heqjen e vizave dhe marrëveshjen e Uashingtonit.
Rama tha se alternativë e vetme e Kosovës është dialogu. Sipas tij, çdo ikje nga dialogu do të kishte pasoja të rënda për Kosovën.
“Koha dhe faktet treguan që ishte një pengesë që Kosova ia uli vetvetes. Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjete sociale, por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë se brendshmi në raport me vetveten qoftë së jashtmi në raport me botën. Konsensusi i brendshëm është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të mbetet e tillë”, tha Rama.
Sipas tij, qeveria e Kosovës arriti të riparojë dëmet e shkaktuara nga çarja me amerikanët.
“Mendoj që sot jemi në pushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë ato të ndërmarrjes së një rruge me përspektivë. Në një kohë arriti të riparohet një krisje shumë e madhe që pati pasoja për Kosovën. Nuk di çka të besoj për liberalizimin e vizave. Mosliberalizimi është një turp për BE-në, një turp i pashlyeshëm dhe pajustifikueshëm”, tha ai.
“Nuk arrij të kuptoj asgjë nga ato që thonë(NË BE)”, tha Rama.
Rama ndërkaq më herët foli edhe për përfitimet që pritet të kenë dy vendet nga marrëveshjet që do arrihen sot.