As Fabregas nuk e kursen Barcelonën nga kritikat

Cesc Fabregas është futbollisti më e fundit në një varg figurash të profilit të lartë që e kanë kritikuar ashpër Barcelonën për mënyrën sesi ajo po i trajton futbollistët e vet legjendarë.

Kritikat e tij vijnë vetëm një ditë pasi kapiteni Lionel Messi dhe braziliani Neymar e goditen Barcelonën për mënyrën sesi e larguan Luis Suarezin nga klubi.

Suarez iu bashkua rivalit Atletico Madrid këtë javë, pasi klubi ia kishte bërë me dije se duhej të largohej gjithsesi këtë verë, edhe pse marrëveshja i mbaronte vitin e ardhshëm.

As ish-mesfushori i gjigantit katalonas, që tani luan për Monacon në Francë, Fabregas nuk pajtohet me mënyrën sesi Barça po i trajton futbollistët e vet legjendarë.

“Natyrisht se duhej të ndodhte një ditë, që lojtarët më të vjetër, gjenerata e 87-s duhej të largohej, por është e qartë se gjërat mund të bëhen ndryshe”, tha Fabregas.

“Po flasim për lojtarë që e kanë dhënë jetën për Barcelonën, të cilët kanë fituar shumë trofe dhe që janë ikona dhe legjenda të këtij klubi”, shtoi ai.

“Prandaj, nganjëherë, mendoj unë, gjërat mund të bëhen në një mënyrë më ndryshe, veçanërisht në respektimin dhe trajtimin e futbollistëve. Trishtohem sepse ata janë miqtë e mi. Unë e di se sa shumë e duan klubin ata”, theksoi ai. /Lajmi.net/