Votuesit zviceranë përmes një referendumi sot (e diele) do të vendosin nëse duhet anuluar paktin me Bashkimin Evropian rreth lëvizjes së lirë të njerëzve, një test ky i rëndësishëm i qëndrimit zviceran karshi të huajve, që përbëjnë çerekun e popullsisë.
Partia Popullore zvicerane (SVP), parti kjo e krahut të djathtë – më e madhja në parlament – është vënë në krye të përpjekjeve për ta marrë kontrollin mbi imigrimin, duke përsëritur disa prej argumenteve të përdorura nga politikanët pro-Brexitit, në prag të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Kundërshtarët e kësaj nisme pretendojnë se braktisja e marrëveshjes për lëvizje të lirë do ta fuste ekonominë në recesion dhe do t’ua merrte lirinë qindra mijëra zviceranëve që të jetojnë dhe punojnë në pjesë të ndryshme të Evropës.
Megjithatë, një sondazh i kryer nga gfs.bern ka gjetur se 63 për qind e respondentëve e kundërshtojnë propozimin e SVP-së dhe 35 për qind e mbështesin, gjë që tregon se votuesit duan stabilitet në një periudhë paqartësie ekonomike, gjatë pandemisë së koronavirusit, raporton BBC.
Zvicra shumë kohë më parë ka vendosur të mos i bashkohet BE-së, por ajo dëshiron qasje në zonën evropiane të tregtisë së lirë dhe dëshiron të bashkëpunojë me Brukselin në fusha si transporti, mjedisi, shkenca dhe arsimi.
Po qe se ky referendum dështon, atëherë qeveria e Zvicrës mund të fokusohet tek çështja më e rëndësishme e saja kur është në pyetje politika e jashtme: Traktati i stagnuar mund t’i konsolidojë lidhjet me BE-në, për të cilën kritikët megjithatë thonë se cenon në masë të madhe sovranitetin zviceran.