Policia e EULEX-it dje ka zhvilluar një aksion brenda zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ç’rast janë arrestuar kryetari i OVL-së Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj.
Sekretari i kësaj organizate, Faton Klinaku, në një prononcim për klankosova.tv ka thënë se nuk ka mundur të kontaktojë më që nga nata e mbrëmshme kur Nasim Haradinaj e ka telefonuar avokatin e tij ku i ka treguar se po e nisin për në Hagë.
“Neve vet na ka thirr Nasim Haradinaj dhe ka thënë se po më dërgojnë atje [në Hagë] dhe më nuk kemi mundur të komunikojmë me të dhe Hysni Gucatin”.
“Diku kah ora 19:00 ka komunikuar me avokatin e tij [Tomë Gashin] në kohën sa ishin pjesëtarët e EULEX-it enda brenda zyrave të OVL-së”.
“Sot kam provuar të kontaktoj me ta, por me siguri nuk kanë qasje”, tha ai.
Klinaku ka thënë se është turp për Kuvendin e Kosovës që nuk e ka shqyrtuar kërkesën e OVL-së që të gjykohen edhe krimet e kryera nga regjimi serb në Kosovë.
“Neve na duket e çuditshme që organet tona shtetërore nuk merren fare me këtë çështje. Nuk është mirë ata [EULEX] si erdhën dje sikur në kohën e Jugosllavisë – sikur kur nuk kemi shtet fare”.
“Në rend të parë do të duhej të reagonin deputetët e Kuvendit që e kanë miratuar një gjykatë të tillë. Është turp për ata që të mblidhen dhe të mos e shqyrtojnë kërkesën tonë që ua kemi drejtuar para se të fillojnë pushimet. Një gjykatë që nuk merret me krimet që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë, nuk i duhet Kosovës”.
I pyetur rreth reagimeve të Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti Kosovën, Faton Klinaku ka thënë se këto reagime janë bërë vetëm sa për sy e faqe.
“Sa i përket Gjykatës Speciale, hetimet duhet të bëhen atje ku iu kanë rrjedhur dosjet, e jo në Kosovë”.
“Neve na vjen keq që shumë analistë bëjnë komente të ndryshme se gjoja kanë ardhur dosjet prej këndej apo andej – kjo u vërtetua edhe dje në aktakuzën që e ka Hysni Gucati se dosjet janë të tyre [të Speciales] dhe s’ka nevojë të merren më njerëzit me konspiracion sepse ata [Specialja] e kanë vërtetuar vet që janë dosjet e tyre”.
“Imazhin e Kosovës e ka dëmtuar Gjykata Speciale. Ne i themi Thaçit se ne nuk e njohim këtë gjykatë dhe nuk do të bashkëpunojmë me të – nuk është obligim i ynë që t’ua ruajmë skandalet dhe sekrete e tyre”, ka shtuar Klinaku duke aluduar në rrjedhjen e dosjeve të Speciales.