Ishte pozitiv me Covid-19, burri vendos burkë si gruaja e vet për të hipur në aeroplan

Një burrë i infektuar me koronavirus nga Indonezia, i cili ishte veshur për t’u dukur si bashkëshortja e vet për të hipur në aeroplan, u zbulua nga ekuipazhi gjatë fluturimit.

Burri, i identifikuar vetëm me inicialet DË, kishte vendosur një mbulesë të plotë të fytyrës. Ai gjithashtu kishte me vete pasaportën e bashkëshortes dhe një test negativ për Covid-19, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ai ndoshta nuk do të zbulohej fare, sikur të mos i ndërronte rrobat gjatë fluturimit, duke bërë që një stjuardesë të reagonte.

Policia u tha gazetarëve se burri është ndaluar pas aterrimit të aeroplanit dhe është testuar menjëherë. Pasi u mor vesh se ai është pozitiv me Covid-19, i ndaluari u urdhërua që të vetizolohet në shtëpi.

Autoritetet thanë se do të marrin masa për ta ndejkur penalisht këtë person posa t’i përfundojë karantinimi.

Ky incident ndodhi në kohën kur në Indonezi ka masa kufizuese për udhëtime. Kohëve të fundit, ky shtet është bërë epiqendër e përhapjes së virusit në Azi, duke shënuar gati 50 mijë raste të reja në ditë.

Në javët e fundit, spitalet janë stërmbushur me pacientë dhe gjithashtu po përballen me mungesë të materialeve, përfshirë oksigjenin mjekësor.

Ndryshe, Indonezia ka gati tre milionë të prekur nga Covid-19 dhe mbi 72 mijë viktima.