Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që ka, sot ka emëruar në cilësinë e koordinatorëve nacional, zëvendësministrat e MPB-së për strategjitë e përcaktuara si më poshtë:
Siç njofton kumtesa e MPB-së, për detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorit nacional kundër krimit të organizuar, koordinatorit nacional për parandalimin e krimit dhe koordinatorit nacional për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivëve është autorizuar zëvendësministri i MPB-së, Agron Bacaj.
Po ashtu, ministri Veliu emëroi zëvendësministrin Zafir Berisha, të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorit nacional për siguri kibernetike dhe të koordinatorit nacional për menaxhimin e emergjencave.
Ndërsa, zëvendësministri Milan Radojeviq është emëruar koordinator nacional kundër narkotikëve, koordinator nacional për siguri në bashkësi dhe koordinator nacional kundër trafikimit me njerëz.
Zëvendësministri Yildiray Bajram është autorizuar nga ministri Veliu të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorit nacional për menaxhim të integruar të kufirit dhe koordinatorit nacional për ri-integrim dhe riatdhesim të personave si dhe të koordinatorit nacional për migrim, njofton MPB-ja në një komunikatë për media.