Ministrja Maliza Haradinaj-Stublla dhe Ambasadori i Japonisë nënshkruan marrëveshje për ta ndihmuar Kosovën të luftojë COVID-19, pajisje mjekësore japoneze – donacion në vlerë prej 810 mijë eurove.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ambasadori Jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, të hënën, në Prishtinë, nënshkruan marrëveshjen e donacionit të radhës të qeverisë japoneze dedikuar popullit të Kosovës.
Nënshkrimi i marrëveshjes me vlerë prej 100 milionë Yen (rreth 810.000 Euro), u bë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Ministrja Haradinaj-Stublla e falënderoi ambasadorin Mizutani për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetëndertimit, duke filluar me njohjen e pavarësisë një muaj pas shpalljes së saj, mbështetjen për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe ndihma për zhvillimin ekonomik.
“Jemi pa masë falënderues për shtetin e Japonisë, i cili është gjetur pran nesh edhe gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë. Marrëveshja e sotme është kontribut për implementimin e Programit mbi Zhvillimin Ekonomik dhe Social, që do të implementohet me blerje të pajisjeve mjekësore”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Kryediplomatja e Kosovës tha se përmes kësaj ndihme, Japonia do të kontribuojë për të përmirësuar sistemin shëndetësor të Kosovës si dhe do të sigurojë përmirësimin e infrastrukturës së punës për stafin mjekësor, në mënyrë që të rritet efikasiteti në menaxhimin e sëmundjeve infektive.
Ambasadori Mizutani nga ana e tij tha se Japonia po e mbështet Kosovën në luftën kundër COVID-19 dhe për përmirësimin e sistemit shëndetësor, me pajisje të reja mjekësore, të kompanive japoneze.
Ai tha se meqë rritja e vazhdueshme e pacientëve me COVID-19 paraqet barrë të madhe për sistemin shëndetësor në Kosovë, Japonia ka vlerësuar se është me rëndësi jetike forcimi i këtij sistemi.
“Përmes këtij granti, Japonia ka siguruar pajisje mjekësore të tilla si sistemi portativ i diagnostikimit të imazhit me ultratinguj dhe monitorët e pacientëve pranë shtratit të prodhuara nga ndërmarrjet japoneze”, tha Ambasadori Mizutani.
Marrëveshja e sotme Kosovë – Japoni hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.