Hoti flet për ardhjen e Grenellit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullha Hoti, ka folur rreth ardhjes së delegacionit të Amerikës në Kosovë.

Sot në Kosovë do të vijë për vizitë zyrtare një delegacion i qeverisë amerikane i kryesuar nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Pjesë e këtij delegacioni, i cili deri më 25 shtator do të udhëtojë edhe në Beograd, Athinë, dhe Izrael, do të jetë edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Hoti me delegacionin amerikan pritet të takohet në ora 18:30 dhe pak orë para këtij takimi, kreu i ekzekutivit kosovar, ka bërë të ditur se kjo është një vizitë e rëndësishme dhe se do të shërbejë për forcimin e mëtejmë të miqësisë me Amerikën, raporton lajmi.net.

“I lumtur që Richard Grenell dhe Adam Boehler  dhe një delegacion i lartë i qeverisë amerikane do ta vizitojnë Kosovën sot. Kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë dhe do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të miqësisë Kosovë-SHBA”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Twitter.

Theksojmë se gjatë së dielës, Grenell ka deklaruar se prioriteti kryesor i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, mbetet implementimi i marrëveshjes së arritur në Uashington.