Diskutohet sërish kontrata me Pfizer, përplasen Vitia e Zemaj

Debati parlementar për pandeminë në Kuvendin e Kosovës është shoqëruar me përplasje mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ish-ministrit, Armend Zemaj.

Ky i fundit në lidhje me kontratën me Pfizer, ka thënë se ia ka përcjellur komunikimet ministrit Vitia qysh një ditë pasi që ka marrë konfirmimet nga kompania.

“Edhe dje edhe sot, minsitri Vitia e ka përmendur një fakt, se është shtuar dinamika e duhur. Unë po e pyes se cila është e duhura dhe e mosduhura për sigurimin e vaksinës. Edhe me Pfizer, më 30 mars ka ardhur konfirmimi që a mund të konfirmojmë kontratën finale, të njëjtën është përcjellë më 31 mars tek ju me ngutinë dhe gëzimin më të madh. Cila është dinamik më e duhur që e keni shtuar ju zoti Vitia. Edhe udhëzimi administrativ ka qenë i nënshkruar”, ka thënë ai.

Ndaj kësaj deklarate u përgjigj ministri Vitia.

|Shumë gjëra që janë bërë më herët, i kam pranuar nga ish-minsitri dhe i kam falënderu dhe kam vazhdu. Sa i përket dinamikës së shtuar ne kemi vazhdu me dinamikën që ka qenë dhe ka pru 24 mijë dozat e para dhe priten edhe 70 mijë dozat shumë shpejtë”, ka thënë Vitia.

Vitia foli edhe për kontratën me Pfizer për të cilën u shkaktua shumë zhurmë në opinion.

“Ajo nuk ka qenë një kontratë finale, është një parakontratë. Unë besoj që presim edhe pak kohë dhe ta shohim se cila është dinamika e shtuar. Ju përmendet udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ish-ministri me gjithë qëllimin e mirë që mund ta ketë pasur, nuk do t’iu kishte mundësuar hyrjen e vaksinave në Republikën e Kosovës sipas atij udhëzimi. Është shumë mirë që kemi farmacistë dhe kanë identifikuar këtë. Jam i sigurt që nuk është bërë me qëllim të keq. Gabimet në nene, nuk do t’i kishin hapur rrugë hyrjes së vaksinave në Republikën e Kosovës. Ne kemi ngritur grupin punues që ka sanuar kërë problem, dhe tani po që i hapet rrugë ardhjes së vaksinave”, ka thënë Vitia.

E kjo shkaktoi ndërhyrjen tjetër nga Zemaj.

“Korrektësia jote e përgjysmuar nuk po ndihmon në transparencë. Ajo që konfirmuat është që në këto tri procese janë udhëhequr nga ne në dinamikën e duhur. Sa i përket lejimit të ardhjes së vaksinave ka qenë gjithçka në rregull”, përfundoi Zemaj.