Rreth 15 marrëveshje pritet të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të Qeverive së Kosovës dhe Shqipërisë të premten në Elbasan. Në mbledhjen e shtatë me radhë, fokusi i kabineteve qeveritare do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar. Takimet e tilla mirëpriten nga njohësit e proceseve politike të dy shteteve, derisa kërkohet angazhim shtesë në implementimin e tyre. Të njëjtave iu sugjerohet edhe të shmangin dallimet për iniciativën rajonale Ballkani i Hapur dhe të fokusohen në avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress së në mbledhjen e së premtes do të nënshkruhen disa marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe protokolle.
“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë këtë javë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të shtatën me radhë. Mbledhja do të mbahen këtë të premte me 26 nëntor në Elbasan të Shqipërisë. Përgatitjet për këtë mbledhje janë drejtë finalizimit dhe ne presim të nënshkruajmë disa marrëveshje, memorandume bashkëpunim dhe protokolle, të cilat janë drejtë finalizimit. […] Ato përfshijnë fushën e lëvizjes së lirë, lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar, në fushën e arsimit, drejtësisë, infrastrukturës dhe kulturës”, thotë ai.
Megjithëse takimin e tillë e mirëpret, drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, thotë se mbledhjen e tilla nuk duhet të jenë vetëm për “shoë politik”, por duhet angazhim shtesë për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në të kaluarën dhe të tanishmet.
“Duhet të jetë takim pune, takim pune për të parë 80 marrëveshje, sa prej tyre janë realizuar, cilat janë afatet, cilat janë përgjegjësitë dhe çfarë do të ndodh vitin e ardhshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës. Është interesante që deri tani ne kemi pasur një sërë takimesh të cilat kanë qenë më shumë ‘shoë politik’ dhe nevojë për të treguar edhe botës shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë. Por në thelb, bilanci i punës, shkëmbimeve dhe marrëveshjeve ka qenë minimal. […] Nëse do të kishte seriozitet dhe të dy palët do të ishin të përgatitura për një takim të përbashkët dhe produktiv, dy palët duhej të përfshinë jo vetëm qeverinë qendrore, por edhe qeverinë lokale dhe mundësisht edhe opozitat politike në mënyrë që qasja të jetë strategjike dhe afatgjate. Të ketë ekspert në tryeza dhe të lejohen ekspertët të dominojnë agjendat gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh as në këtë mbledhje. Kjo është një tregues se është interes më shumë për të qenë korrekt me agjendën e palëve për të thënë se u takuam përsëri dhe zhvilluam mbledhjen e radhës se për të pasur një produkt publik”, deklaron ai.
Por, zëdhënësi Kryeziu thotë se gjatë mbledhjes së premtes, do të formohet edhe sekretariati koordinues ndërqeveritar që do të udhëhiqet nga Gentian Sala.
Përmes këtij vendimi, Kryeziu thotë se zbatimi i marrëveshjeve do të bëhet edhe më i plotë, derisa shton se janë duke e bërë një analizë të mirëfilltë të marrëveshjeve të kaluara me qëllim të vlerësimit të zbatimit të tyre.
“Ne tash jemi duke e bërë një analizë të mirëfilltë të këtyre marrëveshjeve me qëllim të vlerësimit të nivelit të zbatimit të tyre dhe identifikimit të masave për zbatimin më të mirë dhe mëtutjeshëm të këtyre marrëveshjeve. Me këtë qëllim dhe jo ekskluzivisht për këtë qëllim në mbledhjen e të premtes do të formalizohet edhe krijimi i një sekretariati koordinues ndërqeveritar i cili do të udhëhiqet nga zotëri Gentian Sala. I cili do të lehtësojë koordinimin ndërmjet dy qeverive që zbatimi i marrëveshjeve të bëhet i plotë dhe i dhënë kuptim asaj çka po nënshkruhet”, thotë ai.
Krahas këtyre, analisti Krasniqi, kërkon nga dy vendet që gjatë mbledhjes së përbashkët të shmangen deklaratat publike për iniciativën Ballkani i Hapur dhe të fokusohen në marrëdhëniet bilaterale.
“Në kontekstin e zhvillimeve rajonale ky takim vjen me një lloj debati që është zhvilluar kohëve të fundit, midis përfshirjes apo jo të Kosovës dhe raportit të Shqipërisë me Open Ballkan. Ky lloj takimi nuk duhet të përfshijë në agjendë problematika që krijojnë mosmarrëveshje apo pikëpamje. […] Dy palët, si Tirana, si Prishtina, duhet të evitojnë deklaratat publike lidhur me këtë iniciativë. Kjo iniciativë është një nismë që nuk lidhet me kuadrin evropian dhe nuk ka përkrahjen e tyre. Nëse unë do të isha qytetar i Kosovës nuk do të kisha interes për ta shtyrë qeverinë time për t’u bërë pjesë e asaj”, shtoi Krasniqi.
Kosova dhe Shqipëria deri tani kanë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta, deri më tani janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi.