Elshani i PDK-së: 3 mijë e 824 persona nuk kanë aplikuar fare për t’u regjistruar si votues nga jashtë

Anëtari i PDK-së, në KQZ, Arianit Elshani ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme.

Ai bëri të ditur se të shtunën ka përfunduar procesi i regjistrimit të votave me kusht.

“Unë e shoh në rregull si proces për shkak të verifikimit dhe besoj se brenda kësaj jave përfundon edhe ai procesi i verifikimit dhe fillon edhe numërimi i votave të diasporës”, ka thënë Elshani.

Ai më tej ka bërë të ditur se sa i përket shifrave dhe aplikacioneve të dokumenteve jovalide, është numër i vogël i personave që janë me dokumente valide.

“Numri më i madh është i atyre personave që nuk kanë aplikuar fare për regjistrim. Kemi 3824 persona që nuk kanë aplikuar fare për të votuar nga jashtë, nuk kanë dërgu as dokumente as email në KQZ për tu regjistruar si votues nga jashtë”, ka thënë Elshani.