Osmani i ndan medalje regjisores së filmit “Zgjoi”, Basholli: Kjo i dedikohet Fahrije Hotit

Regjisorjes së filmit “Zgjoi” Blerta Basholli, u.d. e presidentes Vjosa Osmani i akordoi Medelaje Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në fushën e kulturës, shkruan IndeksOnline.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisorja, e cila tha se kjo medalje i dedikohet Fahrije Hotit, e cila është symbol i të gjitha grave në Kosovë.

Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival” si filmi më i mirë, regjisorja më e mirë dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

Nderin që na e ka bërë presidentja Osmani është nder i shumëfishtë. Jo vetëm për mua dhe ekipin e filmit “ZGJOI”, por është nder për shkak të tematikës të cilën trajton, për zonjën Fahrije Hoti dhe zonjat e tjera inkurajuese si ajo, për presidenten, grua e suksesshme si në fushën akademike ashtu edhe ate politike, për komunitetin artistik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje nga shteti, për vetë Kosovën.

Këtë medalje të meritave ia dedikojmë zonjës Fahrije Hoti, e cila është edhe symbol i të gjitha grave të Kosovës, të cilat me gjithë humbjet që pësuan nga lufta e fundit në Kosovë, me gjithë paragjykimet e pengesave serioze nga shoqëria, me gjithë mbështetjen aspak të mjaftueshme nga shteti, ato me kokën lart vazhduan, punuan, edukuan fëmijë dhe patën sukses në çdo aspekt. Na dhanë shembull model se si duhet të vazhdojmë të punojmë edhe ne të tjerët, qofshim gra apo burra.

Tregimi i zonjës Fahrije Hoti është një tregim inkurajues për secilin prej nesh, andaj e falenderoj edhe publikisht për shembullin që na e ka dhënë për fuqizimin e gruas në vend edhe kur ai fuqizim duket i pamundur, përcillet me pengesa e me shumë dhimbje.

Faleminderit znj. Fahrije Hoti, që ndave këtë pjesë të jetës tënde me ne! Je dhe do të jesh inspirimi im, por është i shumë të tjerëve përherë.

Një falënderim i veçantë dhe me shumë dashni edhe për aktoren Yllka Gashi që në mënyrë profesionale dhe shumë delikate e solli në jetë këtë rol kaq të rëndësishëm në çdo aspekt dhe producentin Yll Uka që ishte mbështetësi kryesor imi, por edhe i gjithë projektit. Natyrisht pa dyshim edhe të gjitha aktoret dhe aktorët e filmit “Zgjoi” bashkë me ekipin e palodhshëm dhe shumë të dashtun për ne.