Hoti për vizitën e Osmanit e Kurtit në veri: Të mos përdoret vizita në veri për fushatë

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me rastin e përvjetorit të rënies së heroit Zahir Pajaziti, ka vendosur kurora lulesh te shtatorja e tij në Prishtinë.

Hoti ka vlerësuar lart veprën dhe sakrificën e Zahir Pajaziti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nga aty Hoti ka komentuar edhe vizitën e djeshme në Mitrovicën e Veriut të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, duke thënë se kauzat duhet të lihen jashtë fushatës.

“Unë besoj që disa kauza duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore. ajo është një territor i Kosovës pa asnjë dyshim, nuk kontestohet në asnjë formë, secili ka të drejtë të lëvizë, por nuk duhet të përdoren për fushata për të tregu diçka që nuk është”, tha Hoti.

“Sot bashkë me anëtarë të kabinetit bëmë nderime tek shtatorja e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Prej këtu do të vazhdojmë edhe në Orllan, në Podujevë. Është ditë e veçantë. Ne sot nderojmë kontributin e tij, bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë dhe pavarësi, të cilën e gëzojmë sot. Është bërë ritualë, e zakonshme që çdo vit ne të bëjmë nderimet ndaj tyre dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre në mbarë Kosovën”, theksoi Hoti.