Inspektorari Policor i Kosovës ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit policor, Haris Kelmendi, pasi që i njëjti shfaqej në një video ku shihej duke e goditur një të ri brenda stacionit policor, imazhe këto që shkaktuan reagime të ashpra në opinion.
IPK me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se ka vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore, teksa dje është arrestuar një zyrtar policor, shkruan lajmi.net.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë (shih komunikatën e datës 28.01.2021 si më poshtë)”, thuhet në komunikatë.
Sidoqoftë, IPK ka thënë se i njëjti është arrestuar sot sërish, pasi u lirua nga procedurë të rregullt.
“Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet tutje në komunikatë.
Po ashtu, lidhur me rastin janë suspenduar edhe dy zyrtarë të tjerë.
“Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim). Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në fund të komunikatës.