Edin Dzeko dhe Alexis Sanchez do të mbeten në klubet e tyre, të paktën deri tani, pasi u mësua se marrëveshja në mes Interit dhe Romës ka dështuar.
Edin Dzeko është shpallur “persona non grata” nga trajneri, Paulo Fonseca, pasi plasi një zënkë në mes të tyre, transmeton lajmi.net.
Ndërsa, Sanchez, dëshiron vetëm të ketë minuta nën “bagazhin” e tij, që të jetë i gatshëm me Kombëtaren kiliane. Një shkëmbim Dzeko-Sanchez, u proklamua nga mediat italiane ditët e fundit, por sipas “GazzettadelloSport”, marrëveshja ka dështuar.
Arsyet thuhet të jenë ekonomike, pasi Inter po përballet me borxhe të ndryshme dhe kërkesa e rrogës së lojtarëve është e lartë.
Edhe Antonio Conte u shpreh se nuk ka kërkuar asgjë, duke aluduar për Dzekon, gjë që i mbylli dyert e ardhjes së boshnjakut në “Giuseppe Meazza”.
“Nuk kam kërkuar asgjë, situata financiare nuk na lejon këtë merkato të bëjmë diçka”, përfundoi Antonio Conte.