Nënshkruhet memorandumi: Afër 1 milion euro për infrastrukturën e Klinës

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar memorandum për financimin e disa projekteve infrastrukturore në Komunën e Klinës, me nënkryetarin Besim Hoti.

Ministri Abrashi tha se janë 33 projekte për vitin 2021, e që një pjesë e madhe e tyre janë me komunat e Kosovës, që do të shërbejnë për përmirësimin e infrastrukturës.

Ai tha se Klina është njëra nga komunat që përfiton katër projekte infrastrukturore, e që vlera e projekteve arrin afër 1 milion euro.

Në memorandum është ndërtimi i rrugës Klinë – Dresnik – Dollc,  në vlerë prej 400 mijë eurove, ndërtimi i rrugës Ranoc – Leskoc – Zllakuqan, në vlerë prej  250 mijë eurove, asfaltimi i rrugëve në fshatrat Jagodë, Budisalc dhe Bërvokë, në vlerë prej  60 mijë eurove dhe asfaltimi i rrugës Aqarevë – Siqevë, faza e dytë në vlerë prej 90 mijë eurove.

Këto projekte do të ndahen me faza të financimit, e që janë në kuadër të marrëveshjeve të reja me komunat e Kosovës.