Kryeministri në largim i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar letër urimi sekretarit të ri të shtetit amerikan, Antony Blinken.
Në letrën të cilën e ka postuar vetë kryeministri Hoti, është përmendur edhe njohja reciproke me Serbinë.
“Z. Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit”, thuhet mes tjerash në këtë letër.
Letra e plotë:
I nderuari Z. Blinken,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, urime për konfirmimin tuaj në postin e Sekretarit të Shtetit.
U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rikonfirmimin e mbështetjes për Republikën e Kosovës, si një shtet i pavarur, shumetnik, demokratik dhe i integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike.
Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit.
Kosova është e përkushtuar të punojë me ju, si dhe me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për fuqizimin e sundimit të ligjit, krijimin e stabilitetit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimin e demokracisë, si një vend plotësisht i gatshëm për procesin e integrimit Euro-Atlantik.
Shkëlqesia Juaj, ju lutemi pranoni konsideratën time më të lartë.
Sinqerisht,
Avdullah Hoti
Kryeministri i Republikës së Kosovës.