BE-ja lejon fluturimin e avionëve Boeing 737 Max

Bashkimi Evropian (BE) i ka dhënë autorizim fluturimi avionëve të pasagjerëve të tipit Boeing 737 Max, ndaj të cilëve kishte ndalesë qarkullimi për shkak të aksidenteve fatale.

Patrick Ky, drejtori i Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), lëshoi një deklaratë me shkrim në lidhje me avionët 737 Max të prodhuesit amerikan Boeing, fluturimi i të cilëve u ndalua pas aksidenteve në vitet 2018 dhe 2019.

Ky deklaroi se kanë vendosur që 737 Max mund të kthehet në shërbim në mënyrë të sigurt pas rishikimit të gjerë nga EASA.

Duke nënvizuar se vendimi është marrë në mënyrë të pavarur nga presionet ekonomike dhe politike, Ky tha se BE-ja ka bërë testet dhe simulimet e veta gjatë ekzaminimit dhe se i ka cilësuar si të kënaqshme zgjidhjet e kompanisë Boeing për problemet e sigurisë.

Ky njoftoi se janë bërë ndryshime në fusha si azhurnimet e softuerit dhe manualit të përdoruesit, kontrolli i fluturimit dhe sistemi elektrik, mirëmbajtja dhe trajnimi i ekuipazhit, duke shtuar se do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër operacionet e avionit 737 Max në të ardhmen.

SHBA-ja dhe Brazili tashmë kanë lejuar fluturimet komerciale të tipit 737 Max vitin e kaluar.

Defekti në sistemin e kontrollit të fluturimit kushtoi 346 jetë

Në Indonezi, avioni Boeing “737 Max 8” i Lion Airlines me numrin e fluturimit “JT 610” u rrëzua në det më 29 tetor 2018, pak pasi u ngrit nga Xhakarta për në qytetin Pangkal Pinang në ishullin Sumatra. Aksidenti, në të cilin vdiqën 189 persona, hyri në histori si “aksidenti i parë i këtij lloji të avionëve”.

Ndërkaq, avioni i pasagjerëve të tipit Boeing “737 Max 8” i Etiopian Airlines u rrëzua gjithashtu më 10 mars 2019, menjëherë pas ngritjes nga Addis Ababa për në Nairobi, kryeqytetin e Kenisë, me çka 157 njerëz në bord humbën jetën.

Pas aksidentit në Etiopi, shumë vende si Turqia, Kina, Etiopia, Britania, Gjermania, Franca, Holanda dhe Austria, pezulluan operacionet e avionëve të këtij tipi dhe mbyllën hapësirat ajrore për fluturimet e tij.

U zbulua që të dy aksidentet ishin shkaktuar nga një mospërputhje e të dhënave midis sensorëve që rregullojnë këndin e ngritjes në avion.