Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou ua ka refuzuar të gjithë ish-krerëve të UÇK-së kërkesën për lirim nga paraburgimi. Vendimi për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin është marrë të premten që lamë pas.
Gjykatësi i Procedurës paraprake i ka cilësuar të pamjaftueshme kushtet e vëna nga mbrojtja e Rexhep Selimit për lirimin nga paraburgimi të këtij të fundit. Në argumentet e tij, gjykatësi është shprehur se ndonëse se Selimi ka qenë në dijeni për akuzat ndaj tij, ai tek tani e di përafërsisht se cilat janë provat kundër, gjë që sipas gjyqtarit francez e rritë rrezikun e ikjes.
“Sa i përket rrezikut të fluturimit, Gjyqtari i Procedurës paraprake konsideron se disa faktorë mbështesin konstatimin se Z. Selimi ka një nxitje për të ikur. Në veçanti, Z. Selimi tani jo vetëm që është në dijeni të akuzave të konfirmuara kundër tij, që përfshijnë 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe dënimin e mundshëm me burg të gjatë që mund të rezultojë prej tyre, por përveç kësaj, përmes procesit të zbulimit në vazhdim, Z. Selimi është gradualisht duke fituar më shumë njohuri në lidhje me provat që do të paraqiten në lidhje me krimet e pretenduara të kryera prej tij. Për më tepër, ndikimi i Z. Selimi si një ish-udhëheqës politik aktual dhe Shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së nuk mund të injorohet në vlerësimin e rrezikut që individët në rrjetin e tij mbështetës, të cilët ndajnë kundërshtimin e tij të vendosur ndaj SC, mund të jenë të gatshëm t’i japin atij qasje në pasuritë dhe / ose ta ndihmojnë atë të ikë”, thuhet në arsyetimin e gjykatësit.
Për lirimin e Rexhep Selimit, letër në Gjykatën Speciale kishte dërguar edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të cilën kishte raportuar lajmi.net.
Në të, Kurti e kishte përshkruar karakterin e Rexhep Selimit, duke thënë se ai ka respektuar në plotni dhe gjithnjë ligjet. Kurti madje në të thoshte se është “e paimagjinueshme” fakti i mundshëm se Selimi mund të arratiset në rast lirimi.
Por, këto cilësime nuk i ka marrë fort për bazë gjykatësi Nicollas Guillou. Në arsyetimin e vendimit të tij për refuzimin e kërkesës për lirim, thotë se deklaratat e tilla për karakterin e mirë të Rexhep Selimit janë faktorë që zvogëlojnë, mirëpo nuk eliminojnë rrezikun e ikjes së mundshme.
“Gjyqtari i procedurës paraprake është gjithashtu i vetëdijshëm se bashkëpunimi i z. Selimi me hetimet e SPO, dorëzimi i tij vullnetar për arrestimin në këto procedura, lidhjet e tij të forta familjare dhe profesionale me Kosovën dhe Prishtinën në veçanti, dhe deklaratat që përshkruajnë karakterin e tij të mire janë faktorë që zvogëlojnë, por jo eleminojnë, rrezikun e fluturimit”, thuhet në arsyetimin e kërkesës për lirimin e tij.
Sidoqoftë, ndonëse gjykatësi ka refuzuar kërkesën për lirimin e Selimit, ai ka kundërshtuar edhe disa prova të prokurorisë së Specializuar.
Gjykatësi ka përmendur faktin e përdorur nga ZPS se Selimi është në listën e sanksioneve të SHBA-ve që nga 2001, dhe se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë “se si mirëmbahet apo rishikohet lista kohë pas kohe”.
Nicollas Guillou po ashtu i ka kundërshtuar edhe kushtet e propozuara nga mbrojtja për lirimin e Rexhep Selimit, duke thënë se të njëjtat mund ta ulin rrezikun e ikjes, por jo të ndërhyrjes në procedurë. /Lajmi.net/