Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas vendimit të Shqipërisë për dëbimin e diplomatit rus, Alexey Krivosheev, duke thënë se ky hap “nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko ka deklaruar për mediat ruse se Rusia do t’i përgjigjet Shqipërisë për këtë vendim të marrë.
Ai e quajti provokim dëbimin e diplomatit Alexey Krivosheev.
“Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe natyrisht ky hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”, u shpreh Grushko për mediat ruse.
Më 21 janar, Shqipëria shpalli “person non grata” (person të padëshirueshëm) diplomatin Alexey Krivosheev nga Rusia.
Qeveria shqiptare ka marrë vendim që diplomati rus të largohet brenda 72 orësh, nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.
Vendimi, sipas Qeverisë së Shqipërisë, lidhet me faktin se diplomati, në mënyrë të përsëritur, nuk i ka respektuar masat e marra nga autoritetet për mbrojtjen e popullatës ndaj sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi. /REL