Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje qeverisë që të mobilizohen dhe të thirrin shtabin emergjent për menaxhimin e krizave, pas përmbytjeve që kanë ndodhur në disa vende të Kosovës, për shkak të reshjeve të shiut.
Hoxhaj, ka thënë se është thellësisht i prekur me dëmet e shumta që kanë shkaktuar reshjet e fundit në Kosovë, duke shtuar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me shumë familje, kryetarë komunash për të evituar pasojat dhe nevojat për të cilat kanë ata.
Postimi i plotë:
Thellësisht i prekur me dëmet e shumta që kanë shkaktuar reshjet e fundit në Kosovë. Pas këtyre përmbytjeve, të cilat fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot, unë edhe personalisht kam qenë në kontakt me shumë familje dhe kryetarë të komunave për të evidentuar pasojat dhe t’ju gjendem pranë për nevojat të cilat ata i kanë në këto momente. Pamjet që vijnë nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës nuk kanë nevojë për komente, por për reagim të menjëhershëm. Në emër të këtyre familjeve, unë kërkojë nga Qeveria që të ngritet në nivel të detyrës dhe të mobilizojë shtabin emergjent për menaxhimin e krizave. Të koordinojë të gjitha ekipet emergjente nëpër terren dhe të sigurohet që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet pa strehim. Të mobilizohet FSK-ja dhe të nisë strehimi i familjeve që kanë mbetur pa shtëpi dhe të shpërndahen pako ushqimore e higjenike për popullatën tonë!