Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot Qendrën e Situatave, ku është njoftuar nga afër me gjendjen nëpër komuna, pas reshjeve të fundit të shiut dhe të borës të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë rajone të vendit.
Në takim me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, dhe sekretarin e Sekretariatit për Siguri, Shpend Tërdevaj, Hoti ka diskutuar për masat që duhet të ndërmerren me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës së krijuar.
Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, Kryeministri Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.
Për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e fundit të cilat kanë shkaktuar vërshime në rajone të ndryshme të vendit, Hoti sot në orën 12:30 do të vizitojë fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit.