Delawie: Pamjet në Capitol më kujtojnë Kosovën e vitit 2015

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar pas ngjarjes së pa precedent që po ndodh aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi përkrahës të Donald Trump janë futur dhunshëm brenda Ndërtesës së Kongresit dhe kanë hedhur gaz lotësjellës.

Delawie ka thënë se pamje të tilla ia kujtojnë Kosovën e vitit 2015, kur deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin gjuajtur gaz lotsjellës për të kundërshtuar Asociacionin e Komunave dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

“Ngjarja e sotme në Capitol Hill më kujton muajt e mi të parë në Kosovë, kur disa politikanë hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit për t’i bllokuar deputetët.Ashtu si sot, politikanët ishin të gatshëm ta japin demokracinë për ta arritur pushtetin. “, ka shkruar Delawie në twitter.

“Demokracia e Kosovës mbijetoi. Kosovarët kanë synuar që shteti i tyre të jetë si SHBA’ja. Me kryengritjen e sotme, të inspiruar nga Trumpi, a do të na kenë model shtetet e tjera? Ndoshta, pasi përpjekja eshtë mposhtur. Megjithatë, unë dyshoj”, ka vazhduar tutje Delawie.

Gazi lotsjellës në Kuvend gjatë vitit 2015 ishte hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje. Kurti thoshte se gazi do të ndalet, kur të ndalet “Zajednica”.