Për rreth 100 milionë euro më shumë është rritur vlera e kredive në bankat komerciale në Kosovë gjatë këtij viti, kur vendi është ballafaquar me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.
Shuma e kredive gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti ka arritur 1.2 miliard euro, nga 1.1 miliard euro sa kanë qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shuma e përgjithshme e kredive aktive në nëntë bankat komerciale ka arritur në 3.2 miliardë euro, me normë të interesit 6.3 për qind, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Një nga qytetarët e interesuar për marrjen e një kredie në institucionet financiare është edhe Albert Ismajli nga Fushë Kosova. Ai tregon se është i interesuar që të marrë kredi në vlerë prej 2000 eurosh. Jashtë objektit të bankës, Alberti i cili mbante në duar disa dokumente për aplikim, i nervozuar tregon se po i kërkohen dokumente shtesë. Alberti, i cili punon në njërën nga kompanitë publike në Kosovë, thotë se vlera e kërkuar është e domosdoshme për buxhetin e tij familjar, por nuk e specifikon arsyen e marrjes.
“U interesova për kredi, por më duket se i kishin vështirësuar kriteret, për shkak të COVID-19 më thanë. Përveç kontratës së punës, po kërkojnë edhe disa dokumente tjera. Nuk e di. Unë do të provoj prapë, pasi në të njëjtën bankë kam edhe një kredi, por atëherë nuk më janë kërkuar të gjitha këto dokumente”, tregon Ismaili.
Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se rritja e vlerës së kredive për 10 për qind ka të bëjë me përkeqësimin e situatës ekonomike, qoftë të bizneseve apo ekonomive familjare. Kështu që, sipas tij, qytetarët dhe bizneset në një mënyrë kanë qenë të obliguar që në rrethana krize të marrin kredi të reja për t’i paguar këstet e kredive të vjetra.
“Rritja e kredive për rreth 100 milionë euro në mes dy periudhave të dy viteve, ka ndodhur kryesisht për shkak se kanë pasur probleme me pagesën e kësteve. Njerëzit kërkojnë shpëtim, duke huazuar mjete për të paguar këstet e mëparshme ose për të plotësuar nevojat elementare të familjes”, thekson ai.
Bektashi: Situata ekonomike i ka “detyruar” qytetarët të marrin kredi
Ai, ndërkaq, thotë se marrja e kredive ka ndodhur edhe për shkak të vonesave të zbatimit të pakove për rimëkëmbje ekonomike të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Kështu, në mungesë të mjeteve, një numër i qytetarëve kanë marrë kredi për të siguruar mjete rezervë, në rast të përkeqësimit të situatës apo për të shpenzuar për raste shëndetësore.
“Unë mendoj se individët jo vetëm në Kosovë, por çdokund në botë kanë perceptime për të ardhmen. Dhe, besoj se një pjesë shumë e madhe e kredive është marrë për të siguruar veten dhe familjet e tyre, për muajt ose vitin e ardhshëm. Ky nuk është fenomen veç te ne, ky fenomen është shumë më i shprehur në vendet e rajonit, po ashtu edhe në ekonomitë e zhvilluara. Pasi, qytetarët kanë rezerva të parave e ndiejnë veten më të sigurt për të ardhmen e tyre”, thekson Bektashi.
Ai thotë se qytetarët, për shkak të perspektivës së pasigurt të shkaktuar nga pandemia, gjatë këtij viti kanë kursyer edhe më shumë mjete në bankat komerciale.
Vlera e depozitave në institucionet financiare tashme ka kaluar në mbi 4 miliardë euro, përderisa në muajin tetor të vitit 2019, ishin mbi 3.7 miliardë euro.
Bankat komerciale “shtrënguan” standardet e aplikimit
Me gjithë rritjen e vlerës së kredive, bankat komerciale në Kosovë në tremujorin e dytë (prill,maj, qershor) patën shtrënguar standardet për aplikim për kredi, për shkak të rritjes së pasigurisë, pas shpalljes së pandemisë dhe vendimit të qeverisë për masat kufizuese, që kishin për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, thuhet në Anketën e Kreditimit Bankar, të publikuar në muajin tetor nga BQK-ja.
Me lehtësimin e masave kufizuese, gjatë tremujorit të tretë, thuhet në anketë, pritjet e bankave japin indikacione për lehtësim të standardeve kreditore për segmentin e ekonomive familjare, në veçanti për kreditë konsumuese.(Rel)