Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur të përfundojë të gjitha planet e parapara për vitin 2020, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia dhe tkurrjes së buxhetit që i është bërë këtë vit. Kështu kanë deklaruar drejtuesit e dy institucioneve të sigurisë në vend, ministri i Mbrojtjes Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Sipas tyre, viti i ardhshëm do të jetë më sfidues sa i përket procesit të tranzicionit, andaj kanë nevojë për më shumë buxhet.
Në konferencën e fundvitit, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha se kanë avancuar në planin e tranzicionit.
“Të gjitha objektivat, projektet dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2020 i kemi realizuar me sukses, e në disa fusha edhe i kemi tejkaluar ato. Krahas obligimeve të përcaktuara me planin përkatës, me sukses arritëm t’i mirëmbajmë dhe avancojmë edhe më tej aftësitë dhe kapacitetet operacionale aktuale në mbështetje të autoriteteve shtetërore civile në mbështetje të qytetarëve tanë. Bazuar në planin e tranzicionit kemi avancuar me sukses dhe tranzicionin dhe krijimin e kapaciteteve të para funksionale të mbrojtjes së territorit. Jemi në proces të rekrutimit të 400 ushtarëve të rinj duke ngritur përqindjen e përfaqësimit të komuniteteve në 8%, si dhe duke ngritur përqindjen e gjinisë femërore në 11%”, tha Quni.
E komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se i kanë tejkaluar pritshmëritë në kuptimin zhvillimit profesional dhe nëse vazhdohet me këtë trend, procesi i tranzicionit mund të arrihet edhe para afatit të paraparë.
“Gjithmonë e kam thënë se gjatë gjithë këtij procesi do jemi fleksibil, fleksibiliteti do të thotë që ka mundësi të realizohen edhe më herët sesa kemi planifikuar. Varësisht edhe prej situatës mund edhe të shtyhet ky proces. Nuk mund të them se në këtë ditë apo në këtë vit do të ndërtohen por do them se në këtë trend që jemi duke shkuar kemi tejkaluar ato pritshmëritë tona, kemi ofruar me planin tonë që e kemi paraparë dhe nëse vazhdojmë me këtë trend të zhvillimit tonë dhe përkrahjes shtetërore dhe ndërkombëtare jam i sigurt që edhe para atyre pritshmërive tona do t’i kemi”, tha ai.
FSK është në përmbyllje të fazës së parë të procesit të tranzicionit, e faza e dytë, sipas komandantit të FSK-së, do të jetë më sfiduese.
“A kemi nevojë për mbështetje besoj që po sepse viti i ardhshëm dhe faza e dytë është më sfiduese dhe më komplekse që kërkon edhe buxhet shtesë. Por ne, po them prapë do jemi të kujdesshëm në koordinim me të gjitha akterët dhe nuk besoj që nuk do e kemi përkrahjen karshi zhvillimeve tona. Një prej elementeve kryesore gjatë kësaj faze janë partnerët tanë që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë në kapacitet tona sepse orientimi jonë është shumë i qartë që të jemi të ndërveprueshëm me partnerët tanë dhe synimi është që të jemi pjesë e strukturave euroatlantike”, tha gjeneral Rama.
Edhe sivjet, FSK është regjistruar si institucioni më i besueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.