Sistemi shëndetësor në Kosovë është ballafaquar me kërkesa të mëdha si pasojë e pandemisë, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.
Madje, ai tha se gjatë nëntorit kanë pasur numrin më të madh të pacientëve me mbi 1000 të cilët kanë marrë shërbime spitalore.
Krasniqi theksoi se në javën e parë të vitit të ardhshëm rikthehen edhe shërbimet në ambulancat specialistike në klinikat e QKUK-së, ku pesë prej tyre janë shndërruar në klinika COVID-19.
“Sistemi jonë shëndetësor në Kosovë është ballafaquar me kërkesa të mëdha si pasojë e pandemisë Covid-19. Gjatë kohës së pandemisë ne kemi prioritizuar shërbimet shëndetësor sepse është dashur tu ofrojmë shërbime pacientëve që vinin për tu spitalizuar të sëmurë nga Covid-19. Ne kemi pasur numrin më të madh të pacientëve në fund të nëntorit dhe gjatë këtyre tri javëve deri në 1 010 pacientë kanë qenë të shtrirë të cilët kanë marrë shërbime”.
“Krahas shërbimeve të pacientëve të prekur nga pandemia ne kemi mbajtur edhe shërbime të natyrës urgjente dhe emergjente dhe shumicën e shërbimeve esenciale që janë të nevojshme për qytetarët. Të gjitha spitalet rajonale kanë destinuar repartet e Infektives dhe të Pulmologjisë varësisht nga nevoja për shtim të shtretërve i kanë destinuar ato reparte për trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid-19. Ndërkohë që shërbimet e urgjencës dhe ato të natyrës së gjinekologjisë dhe shërbime të tjera kanë vazhduar të kryhen”.
“Janë suspenduar shërbimet në ambulancat specialistike për shkak të fluksit të madh të pacientëve. Tash ne kemi bërë planin që menjëherë pas festave të fundvitit t’i rikthejmë edhe shërbimet në ambulancat specialistike në klinikat e QKUK-së. Pesë klinika janë shndërruar në klinika Covid-19. Klinika e Infektivës, e Pulmologjisë, Interestike, objekti i Mjekësisë Sportive si dhe Mjekimi Intensiv Qendror. Edhe në Klinikën e Pediatrisë dhe Gjinekologjisë e kemi nga një repart të destinuar për të prekurit me Covid-19”.
Tutje, doktor Krasniqi shtoi se sa i përket furnizimit me barna në nivel të ShSKUK-së vite me radhë ka pasur mungesa të herëpashershme.
Sipas tij, jo vetëm në Kosovës, por edhe në shtete fqinje sa i përket antibiotikut rendesiviri, për trajtimin e pacientëve me COVID-19, i cili nuk gjendet në asnjë prej institucioneve publike dhe private.
“Gjendja me furnizim me barna në nivel të ShSKUK-së vite me radhë ka pasur mungesa të herëpashershme. Gjatë kësaj kohe jemi ballafaquar me kërkesa enorme për disa barna të caktuara. Megjithatë shumica e barnave të cilat janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik për trajtimin e pacientëve me Covid kanë qenë në disponueshmëri, mirëpo ka pasur mungesa prej barnave të cilat janë mbështetëse. Poashtu e edhe shumica e antibiotikëve nëse kanë munguar kemi pasur zëvendësim të tyre”.
“Ndërkohë prej atyre antiviral, faviperavirin e kemi donacion dhe kemi sasi të mjaftueshme ndërkohë që rendesivirin nuk e kemi pasur asnjëherë në institucionet publike pasi ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që ti përmbyllë procedurat e blerjes së rendesivirit. Vështirësi më të theksuara janë paraqitur kohëve të fundit te barnat e ashtuquajtura antikoagullante dhe fraksiparinat. Ne i kemi furnizuar me këto barna dhe presim që të furnizohemi edhe në ditët në vazhdim. Mirëpo duket se ka mungesa edhe në tregun jo vetëm të Kosovës, por edhe në shtete fqinje”, tha Krasniqi.