Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë të hënën ta miratojnë buxhetin për vitin 2021.
Kjo pasi, me inicim të LDK-së dhe nënshkrim të mbi 40 deputetëve fillimin e javës së ardhshme pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore.
Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se në rend të ditës së kësaj seance pritet të jenë edhe miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për pavlefshmërinë e votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, partitë parlamentare, me përjashtim të LVV-së kanë shprehur gatishmërinë për ta miratuar buxhetin për vitin 2021.