Mëngjesin e sotëm, grabitësit janë hedhur në aksion në lagjen Dardania për t’i grabitur filialet e bankave.
Sipas informacioneve të policisë së Kosovës, brenda 10 minutave, në kryqëzimin e rrugës “Bill Clinton”, dhe të rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu”, brenda 10 minutash janë kryer dy vjedhje.
Agron Borovci, zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës për lajmi.net ka treguar se në ora 10:30 ka ndodhur një vjedhje në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare.
Në këtë rast dyshohet të ketë qenë i përfshirë një person i armatosur.
“Rreth orës 10:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” në Prishtinë . Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit”, ka deklaruar Borovci.
Edhe grabitja te “Bill Clintoni”, Borovci ka thënë se bazuar në informacionet e para dyshohet se grabitja është kryer nga një person.
“Rreth orës 10:40 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person. Policia ka filluar hetimet bashke me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim ndriçimin e rastit”, ka thënë Borovci.