Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, se ka probleme personale me Ministrinë e Shëndetësisë.
Në një inkuadrim direkt gjatë emisionit Edicioni Special në Klan Kosova, ai tha se ‘ky deputet e ka personale sepse me familjen e tij ka dashur të krijojë monopol në Ministri të Shëndetësisë dhe se ai nuk i përfaqëson as politikat e VV-së’.
Ndërkaq, deputeti Uka, i cili ishte prezent në studio, tregoi se partia e tij ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit për shkak të, siç tha, mungesës së oksigjenit në spitale, për çka Zemaj u kundërpërgjigj se ‘ata me këtë po tregojnë se nuk po e njohin aspektin ligjor dhe se nuk i dinë cilat janë kompetencat e ministrit të shëndetësisë’.
“Kanë tentuar që ta shndërrojnë Ministrinë e Shëndetësisë si pronë private dhe një monopol të klanit të tyre. Ky e ka personale me Ministrinë e Shëndetësisë, kushdo që do të ishte ministër”.
“Mungesa të oksigjenit ka se është pandemia në mbarë botën. Por e mira është që pacientët janë duke marrë trajtimet adekuate, fatmirësisht asnjë pacient nuk ka mbetur pa asnjë shërbim të tillë”.
“Çdo të dytën fjalë e ke shpifje e gënjeshtër”.
“Me kërkesën time me kanë ftuar të shkoj të raportoj në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, për me i nda të gjitha çështjet që lidhen me menaxhimin e pandemisë. Kur kam shkuar aty kryetarja e komisionit e ka ndërprerë takimin për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë nuk ka qenë deputeti Uka”.
“Fitim Uka gjatë pranisë time dhe deri në përfundimin e Komisionit nuk ka qenë në sallë”, ka deklaruar Zemaj, për çka Uka e ka kundërshtuar gjatë tërë kohës.