Insiston LDK: Selmanaj do marrë pjesë në seanca, VV e ka kapur peng Kuvendin

Episod të përsëritur të një sjelljeje agresive dhe të paarsyeshme e ka quajtur LDK veprimin e sotëm në Kuvend të VV-së, e cila protestoi zhurmshëm pasi Driton Selmanaj u fut në seancë.

Në një konferencë për media, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, tha se Selmanaj do të marrë pjesë në Kuvend, dhe nëse VV nuk e sheh legjitime këtë qeveri, ekziston mocioni i mosbesimit si mjet ligjor, shkruan lajmi.net.

“Ajo çka ishte sot ishte në episod i përsëritur i një sjellje agresive dhe të paarsyeshme. Nëse VV-ja vlerëson apo kushdo tjetër se Qeveria nuk duhet të jetë kjo Kushtetua i parasheh mekanizmat demokratik mocioni i mosbesimit”.

“Pra e drejta e tyre kushtetuese ekziston, por sjellja e dhunshme dhe pamundësimi i seancës është i papranueshëm. Kuvendi po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe VV-ja”.

Ai ka shtuar se nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci është e detyruar që të garantojë kushtet ku secili deputet të marrë vendim, e jot ë pamundësohet qëndrimi në sallë.

“Kuvendi i Republikës po kapet peng nga kryesuesja dhe deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesuesja e Kuvendit është e obliguar të garantojë kushtet për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës. Pra është e detyruar. Nuk është në zgjedhjen e saj a do me garantu kushte apo jo”, tha ai.

“Ne nuk do të lejojmë që vullneti qytetar të mos shkelet. Kuvendi funksionon me shumicë”, tha tutje Gashi.